Polis Albania , History and its Civilization ( In Albanian )

 
  P O L I S I - Vendi i qytetërimit dhe i historisë
 
 
 
Polisi është një nga krahinat më interesante dhe më të veçantë e Shqipërisë. Ashtu siç e thotë edhe vetë emri i tij, Polisi është djep i një qytetërimi të lashtë, me një të kaluar të lavdishme historike dhe kulturore. Polisi ka bukuri natyrore të jashtëzakonshme. Në Malin e Polisit rriten një bimësi e dendur dhe e shumëllojshme. Ndonjëra prej tyre, Ylli i Alpeve, është unikale në botë. Polisi ka njerëz të mirë e punëtorë, që janë optimistë për të ardhmen e tyre. 
Krahina e vogël e Polisit ndodhet në perëndim të qytetit të Librazhdit, rreth 15 km larg tij, dhe është e vendosur në pjesën veriore të masivit të Malit të Polisit. Ajo shtrihet nga maja e malit, rreth 1500 m mbi nivelin e detit, e deri në buzë të lumit të Shkumbinit.
Në shek. XV Polisi ishte një qytet i lulëzuar dhe kryeqendra e një prej principatave më të dëgjuara shqiptare, asaj të Aranitëve, kurse sot ai është një grumbull fshatrash të vegjël, që ka trashëguar nga e kaluara e tij qytetare vetëm emrin. Në fillim të shekullit të 20-të Polisi ishte i ndarë në 7 fshatra: Vilan, Gushpatë, Polis-Qendër, Polis-Sheh, Gostimë, Polisi i Vogël dhe Fushë-Bualli. Fshatrat Polis i Vogël dhe Fushë-Buall shkojnë administravisht me rrethin e Elbasanit.
Lashtësia
Polisi ka qenë i banuar që në kohë të lashta prehistorike. Këtë e dëshmojnë disa gjurmë të hershme banimi, si dhe gjetjet arkeologjike. Objekti më i hershëm është një sopatë bronzi e shek. XIII-XII p.e.s., që është gjetur në Gostimë dhe që sot ndodhet i ekspozuar në vitrinat e Muzeut Arkeologjik të Tiranës. Në perëndim të Polis-Qendrës ndodhen rrënojat e një qyteze ilire, brenda dhe jashtë mureve të së cilës gjënden mbeturina enësh prej qeramike. 
Sipas disa burimeve dokumentare të autorëve antikë, Malet e Polisit në antikitet quheshin Malet e Kandavisë. Gjeografi dhe botanisti latin Plini Secundi, në veprën e tij Historia e natyrës, shkruan: “Prej Lisit nis provinca Maqedone: fiset e parthinëve dhe në shpinë të tyre dasaretët, (gjenden) malet e Kandavisë, shtatëdhjetë e tetëmijë hapa nga Dyrrahu”. E gjithë treva quhej Kandavia dhe banorët që e kanë populluar këtë trevë (Polisin) ishin kandavët. Perëndia, që kandavët i besonin më shumë dhe që i kishin kushtuar edhe një tempull, ishte Diana e Kandavëve (Diana Kandaviensis). Tempulli i Dianës mendohet të ketë qenë në Babje, i cili është fshat fqinj me Polisin dhe ndodhet në lindje të tij. Një fragment i këtij tempulli është zbuluar në vitin 1916 nga arkeologu austriak Prashniker, në të cilin është shkruar përkushtimi: Diana augusta kandaviensis (Diana, mbretëresha e kandavëve). Prashniker, në librin Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, (Botim shqip,Tiranë 2003), mendon se: “Përkushtimi Diana Augusta kandaviensis duket se lidhet me Kandavinë, malësia mes Skampa (Elbasani) edhe Lychnidus (Ohër), që sot njihet Mali i Polisit. Qafa me të njejtin emër, përmes së cilës kalon Via Egnatia, i përgjigjet segmentit rrugor Kjuks (Qukës)-Babia Han (Babje). Kandavët i kishin kushtuar festa Dianës apo Zanës së tyre. Diana ishte perëndesha e natyrës (e pyjeve, gjuetisë, blegtorisë etj.) dhe kandavët këto festa i organizonin çdo pranverë, në ditët e shtegtimit të bagëtive të tyre. Festat e Ditës së Verës, ritet e shtegtimeve të bagëtive, si dhe festat e tjera që lidhen me traditat blegtorale, kanë vijuar të festoheshin nga polisarët deri në mesin e shekullit të 20-të, si një jehonë e traditave të lashta që kishin paraardhësit e tyre, kandavët.
Në verilindje të Polisit, buzë lumit të Skampinit (Shkumbinit) antik kalonte Rruga e Kandavisë, e cila e kishte marrë emrin e krahinës nëpër të cilën kalonte. Rruga lidhte Kandavinë me qytetet ilire, siç ishin Selca e Poshtme, Skampa, Belshi etj., por dhe kolonitë, si Dyrrahu e Apollonia. Gjithashtu, nëpërmjet saj, këto të fundit lidheshin me territoret e tjera të Ballkanit Lindor. Nëpërmjet Rrugës së Kandavisë kandavët e Polisit kishin kontaktet me fiset të tjera të Ilirisë. Rruga e Kandavisë vijoi të quhej me këtë emër deri në fillim të shek. I para Kr. Pas pushtimit të Kandavisë nga romakët rruga ndyshoi emër dhe u quajt Rruga Egnatia.
Polisi - Kryeqendra e Aranitisë
Gjatë periudhës së mesjetës Polisi ka qenë nën zotërimet e familjes feudale të Aranitëve, të cilët, gjatë sundimit të Gjergj Aranitit, e kishin Polisin si kryeqendrën e tyre.8) E gjithë krahina që nga Polisi e deri në Qukës-Bërzeshtë quhej Aranitia (Dh.S. Shuteriqi: “Aranitia më 1467”, St. Historike, Nr. 1, 1981). Ruhen akoma të gjalla në këngët dhe legjendat e Polisit bëmat dhe trimëritë e Gjergj Aranitit (Gjorg Golemit), që e kujtojnë si zot të atij vendi.
Aranitët ishin nga familjet e vjetra fisnike, më të njohurat dhe më me ndikim në jetën politike e shoqërore të Shqipërisë. Në shekujt XI-XVI aranitët kishin arritur famë të madhe në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj. Ata lidhën krushqi me anë të martesave me familjet më të mëdha aristokratike të Shqipërisë, Serbisë, Italisë, Austrisë etj., si me Despotët e Beratit (Muzakajt), Despotët e Serbisë, Kastriotët, Dukagjinët, Topiajt, Cornejoviçët e Malit të Zi, etj. Gjatë 500 vjetëve të ekzistencës aranitët krijuan dinasti. Prej dinastisë së tyre dolën strategë, gjeneralë dhe burra shteti me famë në të gjithë Europën. 
Sipas kronistit Gjon Muzaka (despot i Beratit në shek. XV), pronat në zotërim të djemve të Komnen Aranitit shtriheshin kryesisht në territoret e Çermenikës, Mokrës dhe Shpatit. (Gj. Muzaka: “Memorie” (botim shqip), Tiranë 1996) Trojet e Aranitëve shtriheshin në Dibër e deri në lumin e Devollit, që ndante shtetin e tyre me atë të Muzakajve. Në perëndim ata kishin dalje në det nëpër grykëderdhjen e lumit Shkumbin, deri në Golem të Kavajës. Në shek. XV aranitët u bashkuan për krijimin e një shteti (Pricipatë). Bashkimi i tyre nën emrin e Gjergj Aranitit lidhet me qëndresën kundër pushtuesve otomanë, që po u zaptonin trojet e tyre.
Në një dokument osman të vitit 1454 viset ku shtrihej Principata e aranitëve quheshin Aranitia (Aranitid). Me emrin e Aranitisë lidhen viset e Çermenikës, Qukës-Bërzeshtës dhe të Polisit. Kryeqendra e Aranitisë ishte Komnenovili (Qyteti i Komnenit) në Polis-Vilani, që sipas prof. Dhimitër Shuteriqit “ishte kryeqendra e Gjergj Aranitit dhe e pasardhësve të tij, me kështjellën në Kryekorrë (Crepakore-Krepi i Korrës), midis Vilanit e Sopotit të sotëm”.
Aranitët më të shquar në shek. XV ishin Gjergj Araniti dhe dy nipat e tij: Moisi Golemi dhe Muzaka i Angjelinës. Gjergj Araniti dhe nipërit e tij u vunë në ballë të luftërave të Skënderbeut kundër pushtuesve turq. Gj. Araniti ishte i pari fisnik shqiptar që filloi luftën kundër pushtuesve turq. Ky, i pakënaqur nga pushtimet që u bënë turqit tokave të sunduara prej tij, organizoi kryengritje të njëpasnjëshme, duke arritur fitore të lavdishme dhe të bujshme. Fitorja e parë qe ajo e betejës së vitit 1432, në fshatin Burshek të Elbasanit, ku luftoi kundër ushtrisë së Ali Bej Evrenozit. Tjetër fitore e Gjergj Aranitit ishte ajo e vitit 1434 kur u ndesh me gjeneralin turk Isak Evrenozi. Në vitin 1443 Gjergj Araniti kishte dëbuar plotësisht turqit nga Shqipëria Qendrore. Të gjitha këto fitore i dhanë Gj. Aranitit famë në të gjithë Europën. Ai mori përgëzime nga mbretëritë dhe kancelaritë më të njohura në Europë, si nga nga Papa i Romës, Eugjeni IV; nga Perandori gjerman Sigismund; nga mbretërit të Francës, të Italisë etj.
Në vitin 1444 Gjergj Araniti mori pjesë në Kuvendin që u mbajt në Lezhë, për bashkimin e popullit shqiptar në kryengritje kundër pushtimit osman. Marin Barleti shkruan në librin “Historia e Skënderbeut”: “I pari nga të gjithë arriti Arianit Golem Topia (Gjergj Araniti-A.A.), apo me një mbiemër më latin Komati, duke vrapuar me një suitë të shënuar kalorësish dhe këmbësorësh, burrë me emër e me autoritet të madh si për bujarinë e lashtë të fisit, si për përvojën shumë të madhe në punët e luftës e për fisnikërinë e veçantë të fjalës dhe të fytyrës…”.
Gjergj Araniti ishte martuar me Maria Muzakën, motrën e Despotit të Beratit, Gjin Muzakës, me të cilën pati tetë vajza. Vajza e tij e madhe, Andronika (Donika) u martua në vitin 1451 me Gjergj Kastriot-Skënderbeun, duke u lidhur shumë ngushtë këto dy familje.
Në vitit 1466, Sulltan Mehmeti i Dytë udhëhoqi ushtrinë e tij për të pushtuar trojet e aranitëve. Ai i shkruante djalit të tij se “Shumicën e atyre të pabindurve i bëmë pre të shpatave tona, pjesën tjetër i lidhëm me zinxhirë të robërimit dhe me vargoj të poshtërimit”. Por sulltani nuk arriti atë vit që t’i shtronte plotësisht viset e Aranitisë. Në muajin korrik të vitit 1467 sulltan Mehmetit të Dytë iu desh të bënte ekspeditën e dytë të madhe më gjakatare dhe më çfarosëse, për ta pushtuar përfundimisht këtë vend. Meshkujt mbi 12 vjeç e lart u zunë robër dhe u shkuan në shpatë, kurse gratë dhe vajzat u degdisën robëresha drejt Anadollit. 
Pas pushtimit turk, një pjesë e popullsisë së Polisit shkoi në Itali, ku edhe sot gjenden familje qe mbajnë llagapin Muzhaqi dhe Polisi dhe ndoshta mund të kenë lidhje me Polisin e Librazhdit.
Në vitet e errëta të pushtimit turk polisarët asnjëherë nuk i reshtën përpjekjet e tyre për liri dhe përparim shoqëror. Duke qenë se Polisi ishte qendra e Principatës së Aranitisë, ai ishte edhe qendra më e madhe administrative dhe kulturore e trevave të Aranitisë. Si një jehonë e kësaj kulture kanë mbërritur deri në ditët tona gjurmë dhe disa relike, si është një dorëshkrim origjinal i hartuar me një alfabet në gjuhën shqipe, si dhe sistemi i numurimit me rabush, që është një sistem matematikor i veçantë, i përdorur deri në ditët tona vetëm nga banorët polisarë.
Alfabeti i Polisit
Në shek. XIX në Polis është gjetur një libër me një dorëshkrim të vjetër në gjuhën shqipe të shkruar me një alfabet të veçantë (Dh. S. Shuteriqi: Mbi Barletin dhe shkrime të tjera, Tiranë 1979). Rreth vitit 1650, Theodhor Bogomili, i cili mendojmë se ishte nga Polisi, hartoi një tekst në dorëshkrim në gjuhën shqipe me një alfabet origjinal. Libri përmban fragmente ungjijsh, si dhe një predikim të lirë të ritit ortodoks. Alfabeti i Polisit ka 21 shkronja dhe është më i vjetri i njohur për gjuhën shqipe. Teksti ka formën e një libri dhe mban titullin “Psalltiko”. Libri ka qenë në pronësi të një murgu me emrin Papa Totasit. Kjo dëshmohet emri që e ka shkruar në kapakun e librit me alfabetin e Polisit. Dorëshkrimi i vjetër mendohet se është pasardhës i një tradite të hershme të shkrimit të shqipes para pushtimit turk, që mund të ketë qenë përdorur në Araniti e në Arbërinë e asaj kohe. 
Po cili është historiku i zbulimit të dorëshkrimit të Polisit? Zbulimi i tij, sipas prof. Dhimitër Shuteriqi, ka ndodhur fare rastësisht. “Më 1956, shkruan Shuteriqi, rasti e solli të zbulojmë origjinën e dorëshkrimit të moçëm. Ilia Spiro Xhufka, marangoz në Elbasan, duke na çelur bisedën mbi shkrimin e hershëm të gjuhës sonë, pa e shtyrë kush në atë udhë, tregoi se i ati kishte pasur një dorëshkrim shumë të moçëm shqip, me një alfabet të palexushëm, që s’ishte ai i greqishtes, një dorëshkrim me formatin “sa ai i një pakete cigaresh” dhe “me pak fletë”. Kur ia përshkruam dorëshkrimin e Papa Totasit, Ilia e identifikoi menjëherë”.
Sipas dëshmisë që na jep prof. Shuteriqi, dorëshkrimin e Polisit bashkë me disa libra të tjerë të vjetër i kishte blerë në shekullin XIX Losh Papamihali nga qyteti i Elbasanit. Loshi ishte shok i Kostandin Kristoforidhit. Ai i pati blerë librat nga një fshatar nga Polisi, i cili, sipas Prof. Dh. Shuteriqit, quhej Haxhi Tarushi. Haxhiu i pat dëshmuar Loshit se këto libra ishin “të kohës kur Polisi nuk ishte kthyer ende mysliman”. Polisi mendohet se është kthyer në fenë myslimane në krye të shek. XIX. Kur vdiq Losh Papamihali, librat dhe dokumentat e vjetra ia besoi të nipit të tij, gjykatësit Spiro Xhufka. Ai i kishte lënë porosi nipit të tij që këto libra të publikoheshin “kur të bëhet Shqipëria”. Dorëshkrimi i Polisit bashkë me librat e tjerë përfunduan në duart e Lef Nosit, për të cilin Prof. Shuteriqi thotë se “Spiros, një pjesë të tyre, bashkë me dorëshkrimin e përmendur, ia përvetësoi L. Nosi, në arkivin e cilit u gjetën. Në vitin 1946-47 ato hynë në Arkivin e ish-Institutit të Shkencave. Prof. Shuteriqi dëshmon se as Ilia Xhufka, i cili ishte edhe pronari i tyre i fundit, dhe as paraadhësit e tij nuk kishin arritur ta lexonin dorëshkrimin.
Sistemi i numërimi me rabush i Polisit
Te blegtorët polisarë gjendet një sistem numërimi origjinal (A. Alcani: Tradita blegtorale në Polis, Sistemi i numurimit me rabush, “Etnografia shqiptare”, Nr. 15, Tiranë 1987). Sistemi numurimit ka qenë një traditë shumë e hershme, që daton para pushtimit turk. Polisarët kishin shpikur simbole që u korespondonin numrave aritmetikë. Këto numra barinjtë polisarë i “shkruanin”, duke i gdhendur mbi një shkop prej druri, që quhej rabush. Rabushët përgatiteshin prej dru thane, pasi prej thanës dilnin shkopinj të drejtë, të fortë dhe pa palcë. Gjatësia e shkopit ishte 1,5 deri 2 m. Shkrimi i numrave bëhej me anë të një thike të vogël. Numrat shkruheshin në faqen kryesore të rabushit, në njërin nga kulmet e tij. Shënimi i tyre bëhej duke i radhitur numrat njëri pas tjetrit, nga e majta në të djathtë. Simbolet apo numrat që shënoheshin në rabush ishin: numrat 1 (një), 5 (pesë), 10 (dhjetë), 50 (pesëdhjetë), 100 (njëqind), 500 (pesëqind) dhe 1000 (njëmijë). Me anë të këtyre simboleve-numra zhvilloheshin disa veprime matematikore, siç ishin mbledhjeve të numrave dhe formimi i shifrave. Ato formonin numra me dy shifra, tre shifra, katër shifra dhe me më shumë. Veprime të tjera, si zbritje, shumëzim dhe pjestim, nuk bëheshin. Veprimi i zbritjeve bëhej duke i fshirë (zhdukur) numrat nga rabushi.
Rabushët përdoreshin kryesisht nga barinjtë për të matur (shënuar) sasinë e bulmetit (qumështin, djathin, gjalpin, gjizën etj.), e mishit, e leshit etj.
Sot rabushët janë nxjerrë jashtë përdorimit. Përdorimi i rabushëve në Polis vijoi deri në mesin e shek. XX. Më vonë sistemi i numurimit me rabush vijoi të përdorej nga ndonjë bari i vjetër, për forcë zakoni. Rabushët kanë mbetur si një relike e vjetër, që dëshmon për një kulturë të lashtë, të krijuar në shekuj nga polisarët.
Ylli i Alpeve të Polisit, një bimë unikale dhe shumë e rrallë
Në rrethin e Librazhdit gjenden 1867 lloje bimësh të ndryshme, të cilat përfaqësojnë 58 % të florës shqiptare dhe 16 % të asaj europiane. Bimësia zë 72 % të të gjithë territorit, nga të cilat 12 % janë të rralla. Në Malin e Polisit (Rezervat Natyror i Menazhuar-1996), rritet lulja e Yllit të Alpeve (Leontopodium alpinum), një bimë unikale dhe shumë e rrallë, që nuk gjendet në vende të tjera të Shqipërisë, por as në Ballkan e në Botë (LIBRAZHDI-Albania. Guidë historiko-kulturore, Tiranë 2000).
Ylli i Alpeve është një bimë me bukuri të jashtëzakonshme. Ajo jeton shumë lart, në majë të Malit të Polisit, mbi shkëmbinj, duke gjetur strehim për mbijetesë nga kafshët dhe njerëzit. Ylli i Alpeve është pasuri kombëtare shumë e rrallë që kërkon vemendje dhe kujdes nga e gjithë shoqëria.

Comments

Popular posts from this blog

20 facts about Ukraine

HowTo:Spot a Virgin